RAPORT TRE MUJOR I MONITORIMIT Respektimi i ligjit në qeverisjen lokale
Publisher: Emancipimi Civil Ma Ndryshe (EC MA Ndryshe), Kosovo Date: 2012 Volume: 14 pages, pdf Description Ky raport përmbledh punën tre mujore (shtator, tetor dhe nëntor 2012) të monitorimit në kuadër të projektit “Transparenca online e komunës së Prizrenit”. Të gjeturat e monitorimit gjatë kësaj periudhe vërtetojnë se transparenca jo e duhur në vendimmarrje ka shtyrë drejtuesit e komunës që në disa raste të marrin vendime që nuk përputhen me interesat e qytetarëve apo të banorëve të lagjeve të caktuara, që në rastet ekstreme ose nuk kanë pas bazë ligjore, kanë qenë në kundërshtim me ligjet në fuqi apo edhe vet Kushtetutën e Republikës së Kosovës. E, respektimi i ligjit paraqet parakushtin kryesor për qeverisje të mirë. Kapitulli X i Kushtetutës respektivisht neni 124 paragrafi 6 përcakton se "komunat obligohen të respektojnë Kushtetutën, ligjet dhe të zbatojnë vendimet gjyqësore". Edhe neni 11 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale përcakton se “të gjitha aktet komunale duhet të jenë në përputhje me sistemin kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës”. Mirëpo, hulumtimet e bëra nga monitoruesit e EC Ma Ndryshe kanë nxjerrë në pah faktin se këto dispozita janë injoruar në disa raste nga ekzekutivi dhe legjislativi i Prizrenit, gjë që ka shtyrë edhe instancat më të larta shtetërore të kërkojnë veprime konform ligjit nga autoritetet komunale. Mungesa e dialogut të mirëfilltë me qytetarët e komunës por edhe me institucionet tjera qendrore ka shtyrë qeverinë komunale të Prizrenit të veproj jashtë kornizave ligjore, madje duke prezantuar edhe akte pa bazë juridike pranë legjislativit lokal, i cili përkundër mandatit për mbikëqyrje të ekzekutivit nuk i ka kthyer ato për rishqyrtim, por përkundrazi i ka miratuar.